Arbana Big BrotherBig Brother Albania 9 – Arbana Osmani rimerr frenat e “reality show”, të gjitha risitë e programit me personazhe që “luajnë” me jetën e tyre “Big Brother” do të rikthehet në fillim të vitit 2017, në edicionin e tij të nëntë, pas një viti mungesë.

Moderatorja Arbana Osmani do të rimarrë frenat e drejtimit të spektaklit më të ndjekur të ekraneve tona, i cili u prezantua nga Ledion Liço, pas shkëputjes së saj për sjelljen në jetë të djalit, Jon.

Lajmi i parë se spektakli nuk do të organizohej më, u përmbys nga një tjetër lajm pasues, se “Big Brother” do të rikthehej për publikun në sezonin e ri të vjeshtës 2016-1017. Por organizatorët, për shkak të programacionit të ngjeshur, kanë vendosur ta shtyjnë këtë “reality show” për në fillim të vitit 2017, pas përfundimit të spektaklit “Dua të të bëj të lumtur”, që prezantohet po nga Arbana Osmani.

Edhe pse u fol se edicioni i ri do të realizohej me personazhe VIP në Shqipëri, duket se produksioni i këtij formati ka menduar t’i qëndrojë besnik skemës së vjetër.

Kështu, “Top Channel” ka bërë të ditur rinisjen e audicioneve në rrethe për përzgjedhjen e lojtarëve të edicionit të nëntë të “Big Brother”. Por cila do të jetë veçantia e këtij edicioni të ri, në prag të dekadës së parë të spektaklit? Një njoftim në faqen e “Top Channel” i jep spektaklit një orientim nga marrëdhëniet e dashurisë apo martesat, pasi fton personat e fejuar prej një muaji ose shumë vitesh, por edhe ata që kërkojnë dashurinë, t’i drejtohen audicionit. Ky njoftim është perceptuar në rrjetet sociale si një spektakël që mund të shërbejë shumë mirë si “agjenci lidhjesh dashurie apo dhe martesash”.

Prej vitesh ky program ka marrë natyrshëm këtë drejtim, brenda të cilit janë krijuar histori romantike dashurie, një prej tyre madje ka shkuar dhe në martesë, pikërisht lidhja mes Ogren Ballukut dhe Neda Karafilit. Shprehimisht, njoftimi i produksionit është ideuar në këtë mënyrë: “Jeni të fejuar prej 1 muaji apo prej shumë vitesh?

Jeni single dhe ëndërroni të gjeni dashurinë? Këtë vit ‘Big Brother’ hap dyert e shtëpisë edhe për ju”.

Ndërkohë janë publikuar datat e audicioneve për lojtarët e ardhshëm, që nisin më 6 janar në Tiranë dhe mbyllen në Shkup më 5 shkurt, shkruan ‘Panorama’. Aplikantët që duan të marrin pjesë në këto audicione, duhet të shkruajnë emër, mbiemër, numrin e telefonit dhe cilit qytet i përkasin.