210 mijë lekë për 12 vetë për një javë është një shumë modeste dhe që duhet menaxhuar me kujdes.

E si lider i shtëpisë për këtë javë, Lupçe dhe Katerina këtë mundohen që të bëjnë, por që me propozimin e parë kanë hasur në rezistencën e banorëve të tjerë, sidomos të Danjelit dhe Fotinisë.

Lupçe propozon që ajo që të sakrifikohet për këtë javë të jetë cigarja. “Të shpenzojmë 5 mijë lekë për çift cigare këtë javë. A jeni dakord”, pyet ai.

Danjeli dhe Fotinia janë të parët që kundërshtojnë. “Janë shumë pak! 5 mijë lekë cigare harxhohen për një ditë”, thonë ata.

Lupçe këmbëngul se është buxhet i limituar dhe do t’u duhet që të heqin dorë prej cigares, por Danjeli me Fotininë kërkojnë buxhet të ndarë.

“Ndajmë sipas çifteve”, thonë ata.

“Nga 35 mijë lekë na bie, çfarë do të bësh me kaq pak lekë?”, u thotë Lupçe.

“Vetë e keni fajin, e fitonit provën”, përgjigjet Danjeli.